Rritja e Pulave

Foto:Pula në qytet.
Vështirësitë ekonomike dhe papunësia që do të sjellë (dhe ka filluar të sjellë) piku i naftës do të bëjnë të nevojshme marrjen në konsideratë të mundësive alternative për plotësimin e nevojave të familjes.
Një mundësi alternative për familjet qytetare është rritja e pulave. Pulat mbahen në oborr, por nuk është e padëgjuar të mbahen dhe në tarracë, madje dhe në ballkon.
Në metropole të mëdha ku degradimi i industrive që kërkojnë shumë energji ka shkaktuar papunësi të madhe dhe degradim të qyteteve, ka interesim të madh në drejtim të bujqësisë urbane. Në kuadër të bujqësisë urbane praktikohet dhe rritja e pulave. Më shumë se 65 % e qyteteve në SHBA përfshijnë në rregulloret e tyre lokale rregullat e fqinjësisë së mire që duhen ndjekur në rritjen e pulave pa krijuar shqetësime për fqinjët.
Pulat nuk bëjnë zhurmë (vetëm këndezi këndon), mund të ushqehen me kosto të ulët me mbeturinat e kuzhinës së familjeve dhe me insekte; janë burim I rëndësishëm I proteinave në dietë etj.
Gjithashtu Organizata Botërore e Ushqimit udhëzon qytetet që nëpër shkolla të hapen kopshte organike ku sipas mundësive të rriten dhe kafshë të vogla si psh. pula, lepuj etj.. Kështu fëmijët mësojnë si të rrisin vetë bimët si dhe si të kujdesen për gjënë e gjallë.
Prandaj më poshtë vijon një informacion i përmbledhur se si mund të rrisim pula në oborr.
RRITJA E PULAVE
Pulat mund të jenë meshkuj (këndezi, gjeli), pula femër, zogj. Për çdo 10-15 pula mbahet 1 këndez. Këndeza shtesë nuk duhen mbajtur sepse pakësojnë ushqimin në dispozicion të pulave, krijojnë konflikte si dhe stresojnë pulat.
Foto: Kendez
Foto:Pula femër.
Këndezat e vegjël mund të dallohen nga puplat e bishtit, lafsha dhe sjellja më agresive se e pulave.
Koteci:
Për ti ruajtur nga shirat, të ftohtit, kafshët e egra, hajdutët, pulat mbahen në kotec.
Më poshtë keni dy modele kotecesh:
 
Koteci mundësisht të jetë lartë si dhe me dritare me rrjetë për ti ruajtur nga grabitqarët: minjtë, qentë, gjarpërinjtë etj.
Një kotec 1.5-2 m2 mban 10-12 zogj të rritur.
Gjumi:
Koteci brenda duhet të ketë degë në lartësi ku pulat mund të ulen për gjumë.
Foto: Degë ku pulat flenë.
Një degë ~1 m e gjatë mban deri në 5 pula. Pulat bien kollaj nga degët nëse këto janë shumë të trasha ose shumë të holla.
Brenda mirë është të mbahen dhe foletë për pjelljen e vezëve, sepse pulat janë më të qeta kur ngrohin vezët.
Koteci duhet mbajtur pastër që të parandalohet përhapja e parazitëve dhe e sëmundjeve. Prandaj koteci, foletë, enët e ushqimit, të ujit pastrohen here pas here.
Foletë:
Foto: 6 Fole
Si fole mund të shërbejë një vend (kuti, shportë etj.), me përmasa ~30*30*30 cm, i mbushur me material të butë si kashtë, tallash, letra të bëra shuk etj. Me materialet e buta mund të përzihet dhe hi, gjethe duhani, gëlqere e thatë, që të mbajnë larg parazitët.
Foleja nuk duhet bërë e madhe, sepse pula nuk ndjehet rehat. Foleja mundësisht vendoset në një vend pak të rrahur nga drita (që pula të jetë më e qetë), ose mbulohet me strehë.
Për pjelljen e vezëve mund të bëhet 1 fole për deri në 5 pula, kurse foleja për klloçkë duhet të jetë individuale dhe mundësisht larg foleve të tjera.
Në fillim, që ti tregohet pulës se cili vend do të shërbejë si fole, në të mund të futet një gur I ngjashëm me vezën, ose një vezë. Kur pula bëhet klloçkë (fillon ngrohjen e vezëve) ajo nuk pjell më vezë, prandaj vezët mirë është të mblidhen shpesh dhe të mos lihen në fole. Nqs. pula pa dëshirën tonë bëhet klloçkë atëhere izolohet nga foleja për disa ditë.
Sjellja e pulave
Në gjendje të lirë pulat krijojnë grupe me nga 1-5 pula dhe 1 këndez. Mund të mbahen dhe deri në 30 pula me 1 këndez. Në grupe të kësaj madhësie pulat e njohin njëra-tjetrën dhe nuk krijojnë konflikte. Në grup ka hierarki, disa nga pulat janë më të privilegjuara se të tjerat në zgjedhjen e folesë, të vendit të pushimit etj. Pulat me status të privilegjuar kanë pupla dhe lafsha të bukura, mbajnë qëndrim që tregon pozitën e tyre dominante.  Nëse një pulë e nënshtruar I afrohet shumë një pule dominante, kjo e fundit mund të acarohet duke zgjatur qafën dhe treguar sqepin pulës së pasjellshme. Normalisht kjo mjafton që pula e nënshtruar të largohet. Hierarkia e pulave ndryshon në vartësi të moshës, të të qenurit klloçkë etj.
Një pulë fshati bën vezën e parë aty rreth moshës 6-8 muajshe dhe çdo vit prodhon 100-150 vezë, në vartësi të ushqyerjes dhe racës. Pas moshës 5 vjeç prodhon pak vezë, prandaj mirë është të therret. Vezët me zogj çelin zakonisht pas ~3 javësh ngrohje.
Pulat kanë një ritëm konstant. Herët në mëngjez dhe vonë mbasdite kërkojnë ushqim. Paradite vonë shtrojnë vezë, në drekë pushojnë. Natën preferojnë të flenë në lartësi që most ë bëhen pre e grabitqarëve.
Foto: Banjo në pluhur
Pulat pastrohen nga morrat duke u zhgërryer në pluhur. Sa më i imët të jetë ky aq më mirë. Pulat bëjnë banjo pluhuri të paktën 1 herë në ditë. Në vendin ku ato zakonisht bëjnë banjon mund të shtohet pak hi ose gëlqere e thatë, që ti mbrojë nga parazitët.
Pendët dhe puplat e mira i mbrojnë pulat nga ekstremet e temperaturave. Prandaj pulat harxhojnë shumë kohë në pastrimin e puplave me sqep.
Mirë është që çdo ditë të vëzhgohet sjellja e pulave, kështu çdo shenjë e mundshme sëmundjeje, kequshqyerjeje kapet shpejt. Gjithashtu për zogj mirë është të zgjidhen vezët e pulës më të mirë, që këta të trashëgojnë cilësitë e saj.
Pulat mund të çukisin njëra-tjetrën, kjo zakonisht ndodh kur jetojnë ngjeshur, ose mbahen brenda gjatë ditës. Nëse rriten në ambjent me bimësi kjo zakonisht nuk ndodh.
Ngrohja e vezëve
 Pula zakonisht pjell disa vezë përpara se të fillojë ngrohjen e tyre. Një vezë ngrohet për 3 javë përpara çeljes. Vezët për ngrohje duhet të jenë më të freskëta se 10 ditëshe (nëse mbahen në temperatura nën 20 oC). Nëse mbahen në temperature më të larta duhet të jenë më të freskëta se 5 ditëshe. Mund të mblidhen dhe vezë të pulave të ndryshme për tu ngrohur nga 1 klloçkë. Si rregull një klloçkë mund të ngrohë maksimumi 10 fishin e peshës së vetë në kg (psh. nqs. ka peshë 1.5 kg mund të ngrohë 15 vezë).
Veza nuk duhet të ketë të çara, sepse humbja e lagështirës nga e çara mund të shkaktojë ngordhjen e zogut.  Nqs. koha është e nxehtë dhe e thatë gjoksi I klloçkës laget me ujë.
Klloçka I mbron zogjtë nga temperaturat ekstreme, grabitqarët, duke I mbuluar me krahët e vet derisa këta të bëhen të pavarur, aty rreth moshës 6 javshe.
Në 2 javët e para të tyre zogjtë janë të mbrojtur nga infeksionet nga antitrupat që kanë marrë në vezë. Zogjtë mësojnë nga nëna sit ë kërkojnë për ushqim, ujë, me çfarë të ushqehen, si të shmangin grabitqarët, sit ë bëjnë banjo pluhuri etj.Pula zakonisht fillon të shtrojë prapë vezë për ngrohje pas 6-8 javësh së çeljes së zogjve, gjithsesi ajo e ruan lidhjen e fortë me zogjtë.
Ushqyerja e pulave:
Pulat që rriten në gjendje të lirë ushqehen me insekte, fara, bar, rrënjë, lule, fruta, mbeturina ushqimesh të guzhinës (psh. lëkura shalqiri, fruta të prishura, mbeturina mishi, peshku, lëvozhga veze, kocka etj.), bajga etj.. Ato ushqehen të paktën 2 herë në ditë: herët në mëngjez dhe vonë mbasdite përpara perëndimit të diellit. Në fillim ushqehen zogjtë, veçmas; pastaj pulat, dhe në fund gjeli. Kjo sepse nëse gjeli ushqehet i pari, lë pak për pulat. Gjithashtu zogjtë e kanë të vështirë të konkurrojnë me pulat për ushqimin. Zogjtë janë në rritje, prandaj kanë nevojë për më shumë proteina (fara, mish) se pulat.
Farat shtypen përpara ushqyerjes.
Kur bimësia është e dendur dhe sipërfaqja e mjaftueshme pula mund të sigurojë gjithë ushqimin e saj vetë. Zogjve deri në moshën 4-6 javëshe u ofrohet gjithë ushqimi i nevojshëm, pra nuk I besohet aftësisë së tyre për ta gjetur vetë ushqimin.
Ushqimi I pulave ndahet në 3 lloje kryesore: I pasur me energji (drithërat),  I pasur me proteina (larva, milingona, kafshë të tjera, fasule), i pasur me kalcium (kockat, lëvozhgat e vezëve etj.). Këto tre lloje ushqimesh mund të ofrohen të ndara nga njëra-tjetra për të dalluar se cilin tip kërkojnë më shumë pulat dhe për të qenë më ekonomik në përgatitjen e ushqimit.
Larvat mund të rriten dhe vetë dhe tu jepen si ushqim pulave. Rritja e larvave bëhet në këtë mënyrë:
Në një enë të madhe përziejmë gjak, mbeturina të kafshëve të therura, bajga lope. E mbushim enën me ujë deri në 1/3 e mbeturinave. Mizat i pjellin vezët mbi mbeturina dhe larvat e dala nga vezët do të kenë ushqim të bollshëm për tu shumuar. Ena lihet hapur gjatë ditës, kurse gjatë natës mbyllet. Pas 5-10 ditëve përpara se larvat të bëhen pupa, i mbledhim duke hedhur ujë në enë. Larvat pluskojnë në sipërfaqe të ujit.
Kurse rritja e milingonave mund të bëhet në këtë mënyrë:
Merret një enë me qafë të shkurtër, të paktën 10 litroshe. Mbushet me bajga lope dhe kashtë, njomet. Ena kthehet përmbys me grykë mbi tokë ranore. Pas 24 orësh ena do të jetë mbushur me milingona.
 Shëndeti:
Foto: Pulë e shëndetshme (majtas) dhe pulë e sëmurë (djathtas).
Edhe pulat sikurse njerëzit, sëmuren. Ka rëndësi të dallojmë kur një pulë është e sëmurë që të pikasim shpejt ndonjë sëmundje ngjitëse që mund të shkatërrojë gjithë tufën.
Shenjat e pulës së shëndetshme: vigjilente; me sy të shkëlqyer dhe lafshë të ndritshme; aktive; ha dhe pi normalisht; me pendë të pastruara; me të pëgëra kompakte; merr frymë qetë; prodhon vezë normalisht.
Shenja të pulës së sëmurë: e lodhur, e këputur; sy të vrarë, lafshë e zbehur; lëviz pak; bën pak ose aspak vezë; pendë të shpupurisura; të pëgëra të ujshme me gjakra ose krimba, diarre; ka kollë, teshtin ose merr frymë me zhurmë, mund të ketë dhe rrjedhje nga hunda.
Pulat e sëmura izolohen dhe thirret veterineri për të ditur shkakun dhe trajtimin e sëmundjes.
Parandalimi I sëmundjeve ndihmohet duke e mbajtur kotecin të pastër; therrur pulat e dobëta, të cilat janë më të prirura për sëmundje; therur pulat plaka etj.;
Informacion, në shqip, mbi mbarështimin e pulave mund të gjeni dhe në revistën “Agrobiznesi”, nr. 75, 76, në adresën http://www.kash.org.al.
Burimet:
  • Përgatiti: Rita Strakosha. Saktësia e informacionit në këtë artikull është verifikuar nga mjeku veteriner Endri Haxhiraj 

Comments

Popular posts from this blog

Si te mbajme nje Papagall

Macet