Rritja e Lepujve

 2,000+ Cute Rabbit Pictures for Free [HD] - Pixabay
Lepuri është kafshë me përmasa të vogla, si i tillë mund të rritet në oborr, për konsum familjar. Në kohët kur nuk kishte frigorifer e parapëlqenin sepse nuk kishte nevojë ti konservohej mishi. Rritja e lepurit ka një avantazh të rëndësishëm ndaj rritjes se pulës: ushqehet kryesisht me bar, gjethe, rrënjë, të cilat janë me shumicë kudo dhe pak konsumohen nga njeriu; kurse pula ushqehet kryesisht me drithëra, të cilat janë dhe ushqimi kryesor i njeriut.
Ndoshta në përhapjen e kufizuar të rritjes së lepurit luan rol dhe mungesa e informacionit mbi mënyrën e rritjes së tij.
Për këtë arësye më poshtë mund të gjeni informacion mbi lepurin dhe rritjen e tij. Ky informacion është mbledhur nga broshurat e Organizatës Botërore të Ushqimit, librat për lepujt, studime shkencore mbi lepujt etj.
Lepujt rriten për mishin, lëkurën dhe leshin e tyre.
Foto: Jelek me gëzof lepuri
Foto: Turë me lesh të lepurit Angora
Foto: Lepur i pjekur
Të metat e mbajtjes së lepujve: jashtëqitjet e lepujve duhen hequr rregullisht, sepse janë burim infeksioni dhe erërash të këqija; lepujt kërkojnë strehim të posaçëm që të mos largohen, të mos kenë vapë (mbi 35 oC mund të fillojnë të ngordhin); të mos bëhen pre e grabitqarëve.
Racat
Ka më shumë se 60 raca të ndryshme lepuri të cilat ndryshojnë nga pesha (2-7 kg), aftësia riprodhuese, përshtatja ndaj klimës etj.
Lepuri i vendit: Ka kokë mesatare, veshë të gjatë, trup të mbledhur, ka sy të mëdhenj me ngjyrë rozë, blu ose hiri. Ngjyra e trupit ndryshon nga e bardha në të zezë, kafe, hiri ose me lara. Femrat pjellin 6-10 lepuj në një barrë. Pesha e gjallë e tij arrin në 2-2.5 kg.
Raca Gjigand i Fiandrës, është ndër racat më të dëgjuara për prodhim mishi.
Raca Angora përdoret për lesh. Rritja e këtij lepuri kërkon higjenë të madhe për të ruajtur cilësinë e leshit.
Raca Çinçilla është më e dëgjuar për prodhimin e lëkurëve.
Për sa i përket klimës (përshtatja ndaj së cilës do të bëhet gjithmonë e më e rëndësishme me ndryshimet klimatike) sa më të rrallë ta ketë gëzofin raca, më të bardhë, sa më të vogël trupin, aq më mirë e përballon të nxehtët.
Sjellja e lepujve
Lepujt e egër bëjnë jetë sedentare, brenda një territori që e konsiderojnë të tyrin, i cili u siguron ushqimin e mjaftueshëm. Ato e shënojnë territorin, këlyshët dhe lepujt e tjerë me ndihmën e feromoneve që lëshojnë nga gjendrat poshtë mjekrës. Meshkujt shënojnë territorin me ndihmën e urinës. Lepujt ndërtojnë labirinthe nën dhé (strofka) ku fshihen me zhurmën e parë, ku pushojnë gjatë ditës, mbrohen nga të nxehtët; kurse femrat ndërtojnë labirinthe të posaçme ku pjellin e mbajnë këlyshët e vegjël.
Lepujt e egër jetojnë në koloni me deri në 200 anëtarë, me shumë femra. Në koloni ka një çift dominant (alfa) i cili dominon kontrollin e territorit dhe lejon meshkujt dhe femrat dytësore të riprodhojnë vetëm kur ka bollëk. Femra alfa shpesh sulmon këlyshët e femrave dytësore, kurse mashkulli alfa hyn në dyluftime me meshkujt dytësorë të rritur.
Lepuri i duron mirë temperaturat e ulëta, kurse temperaturat e larta jo. Në temperaturë mbi 32 gradë celcius lepujt stresohen nga vapa.

STREHIMI
Ka disa mënyra strehimi të lepujve:
  • Rritja e lepujve në kafazë
 Ky sistem është më i përhapuri.
Foto: Model kafazi prej druri.
Tradicionalisht lepujt janë rritur në kafazë prej dërrase, me 3 anët me dërrasë ose kompensatë, me anën e përparme me rrjetë teli për ajrim dhe ndriçim. Kafazët mbulohen me kapak të lëvizshëm, ose bëhen me derë. Dyshemeja shtrohet me dërrasa të holla, me hapësirë 2-3 cm midis tyre që të lejojnë rënien e fekaleve. Sot preferohen dyshemetë prej rrjete teli, por rrjeta e telit e përshtatshme për dysheme është e shtrenjtë.
Përmasat e kotecit
Nëse koteci bëhet shumë i vogël lepujt mund të vuajnë nga stresi: shkulin qimet, kafshojnë veshët e njëri-tjetrit deri në kanibalizëm; sëmuren lehtë.
Në librin “Rritja e lepurit” zootekniku Xhevdet Abedini rekomandon kafaz me përmasa: gjatësi 120 cm: lartësi 60 cm: gjerësi 60 cm. Manuali i OBU-së mbi rritjen e lepurit përmend kafaze me përmasa (60-70) cm*(80-100) cm dyshemeja dhe 50-60 cm lartësia. Gjerësia rekomandohet të mos jetë më e madhe se ~70 cm që kafazi të pastrohet lehtë. Kafazi me këto përmasa përdoret si kafaz individual për lepujt e rritur dhe si kafaz kolektiv për 5-6 lepuj te vegjël (deri sa këta arrijnë peshën 2.5-2.8 kg). Meshkujt e rritur mbahen në kafazë individualë sepse dy meshkuj të rritur luftojnë. Gjithashtu riprodhimi kontrollohet lehtë kur mbahen veçmas nga femrat. Femrat e rritura (me gjithë këlyshët e tyre) mbahen veçmas sepse sulmojnë këlyshët e njëra-tjetrës.
Në dyshemenë e kafazit shtrohet një shtresë kashte ose tallashi (kashtë më e mirë për lepujt është kashta e të lashtave). Shtresa ndrrohet rregullisht (çdo ditë sipas zooteknikut Xhevdet Abedini, çdo javë sipas manualit të OBU-së).
Një metodë e përdorur është që kashta me të pëgërat nuk ndrrohet por mbi këtë shtrohet kashtë e re . Kështu me kalimin e ditëve krijohet një shtresë e trashë kashte, e cila ndrrohet cdo disa javë. Kjo kursen punë. Kafazi në këtë rast duhet të jetë i lartë.
Muret e kafazeve mund të bëhen dhe prej betoni (betoni gjithsesi nuk është termoizolues i mirë), adobi (baltë e përzier me kashtë).
Kafazët mbahen në ambjent të hapur, mundësisht me bimësi të dendur për hije; me strehë sipër (në vendet e nxehta, që ti mbrojë nga vapa, shiu), ose në ndërtesë të mbyllur, por që gjithsesi ka ajrim të mirë. Streha në ambjent të hapur bëhet prej kashte, teneqeje etj.. Kashta nuk rron kaq gjatë sa teneqeja por ka veti më të mira termoizoluese. Mbi dhe/ose nën tavanin prej teneqeje në kohë të nxehtë duhet të vihet material termoizolues si psh. kashtë a gjethe. Kafazi/koteci ndërtohet me orientim lindje-perëndim që të mos rrihet nga dielli. Tavani i kafazit/kotecit bëhet me pjerrësi veri-jug që të mos rrihet vertikalisht nga rrezet.
Muret e kafazeve nga brenda duhet të jenë të sheshta, pa të dala, sepse këto brehen nga lepujt. Për të penguar brejtjen kafazi mund të vishet nga brenda me rrjetë të thjeshtë metalike. Muret prej rrjete në dimër mund të mbulohen që të mbajnë ngrohtë lepujt, por asnjëherë kafazi nuk mbulohet plotësisht, sepse duhet të ketë ventilim për largimin e erës së ekskretimeve.
Çdo kafaz duhet të ketë enë uji dhe enë/raft për ushqimin të cilat të jenë të fiksuara pas kafazit (që të mos përmbysen nga lepujt).
Foto: Një mënyrë mbrojtjeje nga grabitqarët (minjtë, gjarpërinjtë etj.). Kafazët mbahen ne lartësi me ndihmën e trungjeve. Fletë teneqeje bëhen si kon, vihen rreth trungjeve që të pengojnë gragitqarët.
  • Rritja në kombinim strofkë artificiale/kafaz
Kjo lloj rritjeje është promovuar nga rritësi i lepujve Alessandro Finzi dhe qendra e studimit të rritjes së lepujve në Viterbo, Itali, si metodë e mirë për vendet e nxehta.
Strofka artificiale krijohet me material çimento, ose gur, ose qeramike, ose tulla, rrethohet me dhé për ta termoizoluar, mbulohet me kapak nga ku inspektohet. Strofka për femrat ndahet nga një ndarëse në dy kompartamente, ku njëri shërben si fole për pjellje dhe ku vihet kashtë. Me një tub me diametër 20 cm strofka e errët lidhet me një kafaz në sipërfaqe.Mbi strofkat vihet strehë që të mos lagen. Mundësisht mbahen në vend me pemë e bimësi të dendur, që të bëjnë hije.
Strofka është individuale, me përmasa të brendshme 50*50*50 cm. Përpara futjes së lepurit në të, ky lihet 2-3 ditë jashtë, në kafaz, që të mësojë të përdorë kafazin për të ekskretuar jashtëqitjet.
Foto: Strofka të errëta me dalje në kafazë në ambjent të hapur.
Foto: Strofkë artificiale nga brenda. Është ndarë në dy pjesë: një pjesë shërben si fole për këlyshët e vegjël.
  • Rritja në koloni, në ambjent të mbyllur dhe/ose të hapur:
Rritja në koloni në ambjent të mbyllur zakonisht bëhet në hambarë, shtëpi të braktisura, në kotece me mure adobi (balte-kashtë). Dyshemeja shtrohet me një shtresë kashte.
Mbajtja në koloni, në ambjent të hapur, në përgjithësi nuk rekomandohet sepse ka shumë probleme: lepujt femra vrasin këlyshët e femrave të tjera; lepujt meshkuj të rritur sulmojnë/vrasin meshkujt e tjerë riprodhues; lepujt mund të mbyten nga shirat në strofka; këlyshët mund të ngordhin nga të ftohtët/të nxehtët (nëse strofkat nuk arrijnë ti ruajnë nga këto); mund të bëhen pre e zogjve grabitqarë dhe minjve; mund të shkaktojnë dëme të rënda në të mbjella nëse shpëtojnë nga rrethimi; nga mbipopullimi toka infektohet me parazitë të lepujve dhe bëhet burim sëmundjesh etj.. Prodhimtaria e tyre është më e ulët kur rriten në këtë mënyrë, por ka të mirën që nuk ka nevojë për të investuar në kafaze. Kafazet amortizohen nga urina dhe brejtjet e lepujve dhe duhen riparuar rregullisht.
Foto: Lepuj në ambjent të hapur.
Gjithsesi kjo mënyrë rritjeje ekziston dhe këshillohet të realizohët si më poshtë:
Në mes të oborrit llogaritet një sipërfaqe që do përdoret nga lepujt për strofka. Hiqet dheu deri në ~1metër thellësi, shtrohet toka me tulla a gurë a rrjetë të fortë teli, mbushet prapë me dhé. Kjo pengon që lepujt të gërmojnë strofka shumë të thella. Kjo sipërfaqe në mes të oborrit mbulohet me strehë, në mes i vihet një mullar me kashtë. Lepujve u pëlqen të bëjnë strofka poshtë sendeve, prandaj ato i bëjnë strofkat nën mullarin, nuk bëjnë strofka anash oborrit (kështu nuk rrezikojnë të arratisen). Streha pengon që strofkat të mbyten nga shirat. Strofkat që hapin vetë lepujt i mbajnë ato të ngrohtë në dimër, të freskët në verë dhe shërbejnë si fole për pjellje.
Foto: Strofka natyrale lepujsh
Nëse bëjmë strofka artificiale, atëhere nuk ka nevojë të bëjmë dysheme të fortë në qendër të oborrit, sepse lepujt përdorin strofkat artificiale, nuk përpiqen të bëjnë strofka natyrale. Nëse hyrja e tyre është në formë tubi lepujt i zgjedhin gjithmonë si strofkë.  Pasi pjellin femrat i mbajnë këlyshët në strofkë derisa të bëhen 3-4 javsh. Strofkën e mbyllin me dhé dhe e vizitojnë vetëm 1-2 herë në ditë për ti dhënë qumësht këlyshëve.
Brenda oborrit mund të krijohet një zonë e vogël ku ofrohet ushqim dhe ujë, me derë që mbyllet por nuk hapet, ku kafshët mund të kapen për kontroll, për therrje. Mirë është që rritësi i lepujve të kontaktojë rregullisht me lepujt që këta ta afrojnë pa frikë.
Sipas modelit të këshilluar nga Alessandro Finzi, specialist lepujsh, 3 femra mbahen në 100 m2. Kjo sipërfaqe ndahet në 2 pjesë, që përdoren me rotacion, që lepujt të mos zhveshin oborrin nga bimësia dhe të kontrollohet disi përhapja e sëmundjeve.
Lepujt mund të mbahen dhe bashkë me pulat.
Vendi ku mbahen lepujt duhet të jetë i rrethuar mirë. Rrethimi duhet të jetë të paktën 1 metër i lartë, pa të çara nga ku lepujt mund të largohen.
Foto: Rrethimi ka një pjesë të sipërme të dalë që pengon grabitqarët të kapërcejnë gardhin.
Lepujt duhen vëzhguar për shenja agresiviteti dhe semundjeje, lepujt agresivë dhe të sëmurë duhen larguar nga kolonia
Lepurushet që janë gati të pjellin largohen nga kolonia dhe rikthehen kur këlyshët janë hequr nga qumështi.
Këshillohet mbajtja e një kafazi karantinë për lepujt e sëmurë.
Rritja në puse
Foto: Strofkë-pus. Në bazamentin e saj temperatura është deri në 9 oC më e ulët se në sipërfaqe.
Një mënyrë e rritjes në koloni është ajo në puse të thata.Në rajonet jugore të Tunizisë dhe Algjerisë, lepujt zakonisht rriten në puse të thata 1.5-2 metra të thellë. Rritësit hapin një pus ku fusin lepujt. Lepujt hapin strofka në fund të pusit dhe krijojnë koloninë e tyre. Rritësit ua hedhin ushqimin në pus. Në skema më të sofistikuara (shikoni figurën tjetër më poshtë) rritësi hap një tunel të vogël, të pjerrët, nga fundi i pusit deri në sipërfaqe. Tuneli ka dalje në një kotec/oborr të vogël. Ushqimi i lepujve lihet këtu, dhe lepujt vijnë vetë të ushqehen zakonisht natën. Një derë çark në cep të kotecit shërben për kapjen e tyre. Ky sistem funksionon në vende të thata ku toka është e thatë edhe në 2 m thellësi. Problemi tjetër është shumimi i pakontrolluar dhe dëmet nga grabitqarët si minjtë psh.
Foto: Skica e strofkës-pus me një tunel dytësor me dalje në oborr.
USHQYERJA
Lepuri ushqehet me:
  • Gjethe si jonxhë, tërfil, hithra, gjethe panxhari, patateje, lakra; gjethe akacieje, plepi, dardhe, molle; etj.
  • Tagji
  • Rrënjë si karrota, panxhar, rrepa, patate etj.
  • Farëra si psh. tërshërë, misër, grurë, elb, fara luledielli.
  • Bukë të thatë
  • Mbeturina të kuzhinës si psh. lëkurat e qëruara të rrënjëve.
  • Degë të njoma pemësh si psh. degë akacieje.
  • Hime
Ushqimi të jetë sa më i freskët, të mos jetë i mykur, me dhera, i prishur. Hithrat para se tu jepen thahen pak në diell që tu ikë djegësira. Jonxha, tërfili i njomë, u jepen lepujve në mëngjez mbasi teren për gjithë natën, që të mos shkaktojnë fryrje ose heqje barku. Tagjia preferohet e pabluar prej lepujve.
Ushqimi këshillohet të jepet në mëngjez në orën 6, në drekë në orën 12 dhe i fundit në orën 18.
Ushqimi mundësisht i varet anash ose në tavanin e kafazit, ose vihet ne raft të posaçëm, ose në enë.  Lepuri është shumë i lëvizshëm dhe kur i hidhen ushqimet në dysheme e bën dëm pjesën më të madhe të tyre duke i përhapur me këmbë. Ose i bën pis me të pëgërat.
Vakti i darkës rekomandohet të jetë i bollshëm.
Lepuri nxjerr fekale të forta dhe të buta. Lepuri ka zakon të hajë fekalet e buta sepse këto kanë vlera ushqyese dhe ujë. Pasi kalojnë aparatin tretës për herë të dytë këto vlera ushqyese të mbetura përthithen prej tij dhe fekalet dalin të forta.
Ushqyerja gjatë stinës së thatë
Lepuri gjatë stinës së thatë mund të ushqehet me:
· Sanë. I lidhim bimët në tufa dhe i lëmë të thahen në ambjent të ajrosur. Mundësisht i thajmë në hije. Lepuri nuk pranon të ushqehet me kërcejtë e barit të tharë në fushë që mund të mbledhim gjatë stinës së thatë. Sana e ruajtur mirë mund të mbahet deri në 1 vit.
· Karrotat, panxharin, rrepat dhe perimet e tjera rrënjë mund ti ruajmë për një kohë të gjatë në rërë të thatë. I shtrojmë rrënjët në shtresa të alternuara me shtresa rëre të thatë. Sipërfaqen e mbulojmë me një shtresë kashte. Ose në vend të rërës përdorim shtresa kashte. Toku i rrënjëve dhe kashës mbulohet me kashtë, pastaj me dhé. Në majë lihet një vrimë për ajrim.
 
Uji
Lepujt duhet të kenë ujë në dispozicion gjithë kohës, ujin e preferojnë të pastër, prandaj u ndrohet çdo ditë. Në kohë të nxehtë një lepurushe nënë dhe këlyshët e saj mund të pinë 4-5 litra ujë në ditë.
SHUMIMI
Lepujt arrijnë moshën e çiftëzimit 3-6 muaj pas lindjes, në varësi të rracës (rracat më të vogla piqen me shpejt) dhe të ushqyerjes (femrat e ushqyera më mirë piqen më shpejt). Femrat janë pjellore kryesisht për 3-4 vjet, por ka që pjellin dhe deri në 8 vjet, kurse meshkujt per 3-4 vjet.
Ata çiftëzohen gjithë vitin por numri më i madh i këlyshve lind në shkurt-gusht. Kur bën vapë e ndërpresin riprodhimin. Femra bie shtatzanë vetëm kur është në afsh. Kur është në afsh, femra pakëson të ngrënët ose e ndërpret; organet femërore fillojnë të skuqen, të fryhen dhe lëshojnë lëngra. Në përgjithësi femra është e shqetësuar. Mbas shfaqjes së këtyre shenjave rritësja e çon femrën për ndërzim në kafazin e mashkullit dhe qëndron aty derisa përfundon ndërzimi. Nuk çohet mashkulli tek kafazi i femrës sepse kjo mund të luftojë me të për të mbrojtur territorin. Pas çiftëzimit e kthejnë në kafazin e vet. Femra në afsh ngre bishtin dhe lejon mashkullin ta ndërzejë. Pasi femra bie shtatzanë e refuzon mashkullin, ul bishtin dhe i largohet. Kur femra refuzon mashkullin është mirë të largohet menjëherë sepse ndryshe mashkulli do të egërsohet dhe mund ta dëmtojë duke e kafshuar ose duke e çjerrë me thonj. Një çiftëzim mjafton që femra të bjerë shtatëzanë.
Një mashkull mund të përdoret për 15 femra. Nqs. çiftëzimi menaxhohet, atëhere zakonisht mashkulli 8-12 muajsh çiftëzohet maksimumi me një lepurushe në 3 ditë, kurse mashkulli i pjekur (mbi 12 muajsh) me 4-6 lepurushe në javë, dhe jo më shpesh se 2 herë në ditë. Nëse mashkulli nuk çiftëzohet rregullisht mund të humbasë pjellorinë.
Për çdo femër mbajmë shënim datën e ndërzimit, datën e pjelljes së këlyshëve.
Shtatëzania zgjat 30-32 ditë. Femra pjell në fole. Mos i prekni këlyshët ditën e parë pas lindjes. Përdorni shkop për ti prekur dhe për të larguar këlyshët e vdekur (nëse ka). Këlyshët janë të verbër deri në moshën 10 ditshe. Këlyshët ushqehen me qumështin e nënës deri në moshën 4-8 javshe. Ata fillojnë të ushqehen me të ngurta (përpos qumështit) duke filluar nga mosha 2-3 javsh. Ata mund të therren për mish pas moshës 2-3 muajshe. Kurse lepujt për gëzof therren rreth moshës 7 muajshe.
Lepurushja në një barrë mund të pjellë 1-15 këlyshë, ku nënat e reja pjellin më pak, kurse ato që kanë pjellë disa herë pjellin maksimumin e këlyshve.Gjithashtu numri i këlyshve varet dhe nga pjelloria e mashkullit. Megjithatë lepurushja ka vetëm 8-10 thithka, prandaj ajo mund të rrisë vetëm maksimumi 8-10 këlyshë.
Pra lepuri është kafshë që shtohet shumë. Një lepurushe që peshon 4.5 kg mund të prodhojë deri në 150 kg mish në vit (më shumë seç shton një lopë e zakonshme në vit).
Femra mund të bjerë prapë shtatëzanë brenda disa ditëve nga lindja. Por këshillohet të lejohet çiftëzimi jo më herët se 4 javë pas lindjes, qe kur të lindë këlyshët e rradhës, këlyshët  paraardhës të jenë 8 javësh (pra të jenë zvjerdhur nga gjiri). Femra ushqen me qumësht këlyshët edhe gjatë shtatëzanisë. Kuptohet gjatë kësaj periudhe duhet ushqyer mirë.
Të paktën 1 javë para pjelljes në kafazin e femrës futet një kuti kartoni, a druri pa fund ose me vrima në fund, ku ajo do të pjellë. Ose kafazi ndahet në dy pjesë, ku njëra do të përdoret për pjellje.
Kutia të jetë e hapur nga lart, dhe të vishet me kashtë a tallash. Këtu do të pjellë lepurushja. Javën para lindjes lepurushja shkul qime të trupit dhe ja vesh nga brenda kutisë.
Ka lepurushe që nuk bëjnë fole, por i pjellin këlyshët në dyshemenë e kafazit. Nëse lihen jashtë folesë këlyshët mund të ngordhin nga të ftohtët. Kur këlyshët bëhen 3 javsh dalin vetë nga foleja.
Fetusi në bark të lepurushes mund të preket përmes barkut 2 javë pas çiftëzimit, atëhere fetusi është ~2 cm i gjatë. Duke shtypur lehtë të dy anët e mitrës së lepurushes me gishtin e madh dhe atë tregues mund të ndjehet fetusi. Duhet pasur kujdes në prekje për të mos e dëmtuar.
Lindja zakonisht ndodh gjatë natës. Gjatë lindjes duhet krijuar ambjent i qetë, nëse lepurushja trembet mund të vrasë ose braktisë këlyshët.
Foto: Lepur i porsalindur
Lepurushja mund të ketë dhe shtatëzani të rreme: Ajo refuzon të çiftëzohet dhe 16-20 ditë pas çiftëzimit fillon të shkulë qimet për të bërë folenë. Shpejt pas kësaj vjen në afsh dhe mund të çiftëzohet prapë. Që të shmanget shtatëzania e rreme nje muaj para çiftëzimit të parë lepurushet femra ndahen nga njëra tjetra (nëse mbahen bashkë).
Nganjëherë lepurushja i braktis këlyshët pa asnjë arësye. Nëse kjo nuk i ka ndodhur më parë, çiftohet prapë 4-5 ditë pas lindjes. Nëse ndodh dy herë, nuk bën si nënë, therret.
Lepurushes mund ti vihen në gji dhe këlyshë të një femre tjetër.Këlyshët e huaj duhet të jenë deri në 1 javsh dhe jo më të mëdhenj se 3 ditë me këlyshët e saj. Këlyshët e huaj futen në fole kur nëna adoptuese nuk është aty. Fërkohen me kashtën e folesë që te marrin erën e këlyshëve të saj. Lihen disa orë pastaj u prezantohet adoptuesja. Kafazi lihet i qetë deri ditën tjetër.
Njohja e seksit të lepujve
Njohja e seksit ka rëndësi sepse meshkujt, kur rriten, therren ose shiten, mbahen vetëm aq sa duhen për ndërzim. Nga pamja e jashtme lepujt meshkuj nuk dallojnë nga femrat. Për të dalluar seksin, një dorë e kalojmë poshtë të ndënjurave të lepurit, me gishtin e madh dhe tregues të dorës tjetër tërheqim lëkurën rreth organit seksual (organin seksual mund ta dallojmë nga anusi sepse ndodhet më larg bishtit): vulva duket si e çarë, kurse penisi si thumb me gjatësi 1-2 cm.
Gjithashtu tek lepuri mashkull dallohen testikujt. Kur lepuri është i shqetësuar ose në moshë të njomë, këta mund të mos dallohen dot sepse mund të jenë të tërhequr në hapësirën e barkut. Gjithsesi lëkura që i mbulon mbetet e varur dhe një njohës i mirë i lepujve i njeh dhe nga kjo lepujt meshkuj.
Foto:  Lepuri femër (lart) dhe lepuri mashkull (poshte). Në meshkujt mbi 10 javsh dallohen dhe testikujt.
Kur lepujt meshkuj mbahen bashkë pas arritjes së pjekurisë (psh. kur rriten për lesh a gëzof) atëhere duhet të kastrohen që mos të luftojnë.

Shëndeti

Ushqyerja e mirë dhe pastërtia e kafazit siguron lepuj të shëndetshëm. Lepuri i sëmurë kuptohet nga shenjat:
  • Sytë i ka të vrarë
  • Qimen të ashpër
  • Ka diarre
  • Rri në një qoshe, duke kërcitur dhëmbët.
Nëse ka temperaturë mbi 39.3 oC është i sëmurë.
Për ta kontrolluar lepuri kapet me një dorë nga lëkura e qafës, dora tjetër i mbahet poshtë trupit. Nuk ngrihet nga veshët, sepse i dhemb shumë.Kur është mbi 5 kile e mbështesim dhe pas trupit tonë.
Kur lepuri është i sëmurë thërrasim veterinerin për diagnostikim dhe trajtim. Disa nga sëmundjet e lepurit janë:
Zgjebja e veshit
Sëmundje e zakonshme. Shkaktohet nga parazitë të vegjël që depërtojnë në lëkurën e kanalit të veshit. Lepuri i sëmurë tund kokën majtas-djathtas dhe fërkon veshët pas objekteve. Një kore e bardhë në të vedhë mbulon kanalin e veshit.
Sipas manualit të Organizatës Botërore të Ushqimit për kujdestarët e kafshëve, mënyra më e thjeshtë e trajtimit është hedhja e disa pikave vaji (ulliri, luledielli psh.) në vesh dhe masazhimi i tij. Kjo përsëritet çdo ditë derisa të shikojmë përmirësim.
Lajmë duart pasi kemi trajtuar lepurin e sëmurë.
Koksidiozat (parazitë shumë të vegjël) në mëlçi dhe stomak janë problematike sidomos në lepuj nën 4 muajsh. Shkaktojnë diarre, nganjëherë e gjakosur, lepuri humbet peshë, ka bark të madh. Sëmundja vazhdon 2-4 ditë, shumë lepuj ngordhin nga koksidiozi. Kur çahet lepuri i ngordhur nga kjo sëmundje vihet re: mëlçja e zezë dhe zorrët janë të skuqura. Në mëlçinë e zezë dallohen pulla të vogla në ngjyrë të bardhë. Në mjekimin e koksidiozës jep rezultate të mira përdorimi i kosit të thartuar në ushqimin e lepujve (sipas zootek. Xhevdet Abedini). Një lugë çaji (5 ml) me jod në 5 litra ujë mund ti jepen nënës shatëzanë për parandalimin e sëmundjes.
Paraziti jeton në të pëgërat, prandaj kafazi duhet mbajtur pastër.
Masat e tjera që merren kundër koksidiozës janë: lepujt më të sëmurë dhe të dobët therren dhe groposen, ata më pak të sëmurë izolohen dhe mjekohen. Dizinfektohen mirë kotecat dhe dyshemeja.
Lepujt mund të vuajnë dhe nga diarreja, kapsllëku, abcesi, mastiti, infeksione syri etj. Konsultohuni me veterinerin në këto raste.
Therrja e lepurit
Lepujt zakonisht therren kur arrijnë peshën 2 kg. Lepuri vritet duke e goditur në pjesën e pasme të kokës me një kopaçe.
Menjëherë pas vrasjes lepuri varet nga këmbët e pasme dhe i priten venat e fytit që ti rrjedhë gjaku (ose i nxirren sytë që ti rrjedhë gjaku).
Rrjepja:
Presim bishtin. Bëjmë një prerje rrethore në lëkurën e qafës. Bëjmë një prerje gjatësore përgjatë pjesës së brendshme të njërës kofshë të prapme, kalojmë tek bishti, vazhdojmë prerjen në kofshën tjetër. E tërheqim lëkurën. Presim lëkurën rreth qafës , nga pjesa e brendshme, si dhe rreth të dy këmbëve të përparme. E largojmë lëkurën nga trupi.
Lëkura e kthyer mbrapsht dhe e tendosur nga brenda me dy shkopinj të vegjël lihet për tu tharë në diell.
Kuriozitete për lepujt:
Lepuri jeton deri në 10 vjet.
Lepujt nuk vjellin.
Ata kanë nevojë për kashtë për të ndihmuar tretjen dhe penguar krijimin e lëmsheve me qime në stomak.
Lepuri mund të kërcejë 90 cm. Lepuri mund të shikojë prapa, por në shikimin ballor ka një zonë të verbër.
Kur janë të lumtur kërcejnë dhe përdridhen. 
Lepuri mund të vdesë nga frika kur ndeshet me grabitqarë.
Lepuri djersin vetëm në këmbë.
Lepuri prodhon 3kg mish nga i njëjti ushqim dhe ujë me të cilin lopa prodhon vetëm 1 kg mish.
Lepujt janë të dashur me njerëzit
Përgjigjen kur u thërrasim në emër
U pëlqen të bëjnë banjo pluhuri për të pastruar gëzofin nga parazitët.
Burimet

Shënim: Saktësia e këtij artikulli është verifikuar nga veterineri Endri Haxhiraj


Libri “Rritja e lepurit”, Xhevdet Abedini

 Pergatiti: Rita Strakosha, ritastrakosha@yahoo.com

Manual i OBSH-së “Rritja, prodhimi dhe shëndeti i lepurit”: http://www.fao.org/docrep/x5082e/X5082E00.htm#Contents
Manual i OBSH-së për rritjen e kafshëve të vogla në oborre: http://www.fao.org/AG/AGAInfo/themes/documents/ibys/1.htm
Manual i OBSH-së për kujdesin shëndetësor ndaj kafshëve:  http://www.fao.org/docrep/t0690e/t0690e00.htm#Contents;

Comments

Popular posts from this blog

Si te mbajme nje Papagall

Rritja e Pulave

Macet